Çfarë është Zekati?

Zekati është një nga pesë shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami. Ai realizohet duke dhënë një pjesë të caktuar të pasurisë me qëllimin e bindjes dhe adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar.

Obligimi për të dhënë zekatin është shprehur qartë shumë herë përmes ajeteve Kur’anore dhe haditheve të Profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë me të.

“Faleni namazin dhe jepeni zekatin

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Të tillët do ti mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë”. (Tevbe 9:71)

Zekati është më tepër se një vepër bamirësie, ai ëshët një institucion i cili kontribuon në mbylljen e disa plagëve të shoqërisë por edhe si një mekanizëm për zhvillimin dhe fuqizimin e saj. Gjithashtu zekati synon pastrimine  pasurisë nga çdo grimcë padrejtësie ose pakujdesie me anë të së cilës mund të jetë përfituar kjo pasuri në mënyrë që besimtari të konsumojë vetëm atë që është hallall dhe e pastër për të.

Kush obligohet të japë zekatin?

Zekati është detyrim për personat në moshë madhore, mendërisht të shëndoshë, të lirë, të mos kenë borxhe dhe përveç përballimit të nevojave të veta dhe të familjes, të zotërojë pasuri në vlerën e përcaktuar (nisabi), vlerë e cila ka mbushur një vit pa u prekur.

Kujt i jepet zekati?

Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar në Kuran në suren Tevbe, ajeti 60, vendet ku duhet të jepet zekat. Sipas ajetit, vendet ku jepet zekat janë:

1- Të varfrit (personat të cilët nuk kanë pasuri)

2- Nevojtarët (personat të cilët nuk kanë asgjë)

3- Personat e autorizuar për mbledhjen e zekatit.

4- Personave të cilët duam t’i afrojmë e t’ia ngrohim zemrën me Islamin.

5- Robërve, për t’i shpëtuar nga robëria.

6- Borxhlinjve (atyre që nuk kanë pasuri të paguajnë borxhin)

7-Personave që ia kanë kushtuar jetën diturisë, njerëzve dhe institucioneve që ndihmojnë në përhapjen e fesë islame dhe në përgjithësi të gjithë institucionet që ndikojnë në përhapjen e kulturës Islame.

8-Udhëtarët. (atyre që mund të kenë nevojë për para gjatë udhëtimit dhe që janë në vështirësi)

Çfarë është nisabi?

Nisabi është vlera minimale që duhet të arrijë pasuria e cila ka mbushur një vit e paprekur për të cilën detyrohet të jepet zekati.

Kjo vlerë matet me anë të arit ose argjendit dhe ëshët e barabartë me 85 gr ar të pastër, ose 595 gr argjend të pastër.

Nga kjo sasi, pasi ka mbushur një vit hënor e paprekur, pasi janë hequr detyrimet familjare, borxhet, taksat dhe çdo detyrim tjetër, obligohet të jepet 2,5 % e saj ose 1/40 pjesë e saj.

Zakati jepet një herë në vit në një ditë të caktuar. Për ta mbajtur mend më lehtë datën, zakonisht, përdoret dita e parë e Ramazanit.

Translate »