Edukimi i mirë është një nga synimet tona kryesore, sepse ne besojmë se mirëqenia fillon nga edukimi i brezave si një element shumë i rëndësishëm në thyerjen e ciklit të varfërisë dhe krijimit të mundësive për një të ardhme më të sigurtë e të ndritshme.

Për fat të keq, sot, shumë fëmijë detyrohen të lënë shkollën dhe të punojnë për të siguruar nevojat bazë të familjes, gjithashtu shumë të rinj të talentuar, nuk kanë mundësi të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre e të ndjekin studimet për shkak të vështirësive ekonomike.

Përtëj përmbushjes së nevojave emergjente, ne po përpiqemi vazhdimisht të orjentojmë veprimtaritë tona drejt nismave vizionare për të ardhmen, prandaj me mbështetjen tuaj të përhershme kemi arritur të realizojmë projekte që pritet të kenë një ndikim jo vetëm të menjëhershëm por edhe në planin afatgjatë.

Projektet:

  1. Bursa

Për shkak të situatës së rëndë familjare, shumë fëmijë braktisin bankat e shkollës dhe detyrohen të punojnë për t’i siguruar të ardhura familjes. Kjo dukuri shkakton një plagë të rëndë dhe një emergjencë social duke i ekspozuar këta fëmijë me anën më të egër të realitetit, duke i hequr shansin dhe të drejtën universale e edukimit.

Fondacioni Firdeus mbështet familjet e tyre në mënyrë që këta fëmijë ti rikthehen bankave të shkollës, po ashtu siguron bursa për studentët ekselentë në mënyrë që të rrisë kapacitetet e tyre intelektuale dhe të fuqizojë rolin e tyre në proceset zhvilluese të shoqërisë.

  1. Konvikti “Firdeus”

Së fundmi, Fondacioni Firdeus, ka hapur dyert e një qendre rezidenciale (konvikt) për rreth 70 vajza të cilat studiojnë në Tiranë dhe e kanë të pamundur për të përballuar jetesën e tyre në kryeqytet. Ky konvikt është një projekt i cili zhvillohet në përputhje me vizionin tonë për të krijuar një mjedis sa më mundësues për edukimin efektiv të të rinjve, për të kontribuar në zhvillimin e një shoqërie me vlera e parime të larta me prioritet arsimin, rritjen e kapaciteteve në çdo aspekt si edhe zhvillimin e mendësive të reja për një rini që kontribuon në mënyre aktive dhe është e dobishmë për shoqërinë.

Konvikti i pajisur me cdo gjë që u nevojitet studenteve, ofron një mjedis komod, të ngrohtë e familjar, në mënyrë që i gjithë fokusi i tyre të përqëndrohet tek arritja e rezultateve të larta në shkollë.

Prioritetet në përzgjedhjen e aplikanteve në këtë rezidencë kanë qenë të mbështetura në shkallën e vështirësisë ekonomike si edhe rezultatet e mësimeve, ku përparësi e veçantë u është dhënë studenteve ekselente.

Rezidenca e studenteve “Firdeus” nuk është vetëm një dormitor, por një qendër edukimi, socializimi e rrjetëzimi. Herëpashere, duke iu përshtatur dhe disponibilitetit të vetë studenteve, organizohen biseda dhe shkëmbime idesh dhe eksperiencash mes tyre dhe u jepen këshilla nga eksperte të cështjeve sociale dhe të komunikimit.

Studentet, gjithashtu, nxiten dhe motivohen të konkurrojnë për rezultate të larta në studime, në pjesmarrjen në aktivitete bamirësie, filantropike, humanitare etj.

Interesimi i studenteve për t’u bërë pjesë e konviktit ka qenë tepër i lartë, por ambjentet aktuale lejonin strehimin deri në 70 persona. Nisur nga ky fakt, po përpiqemi që me ndihmën e Zotit të Lartësuar të shtrijmë më tej këtë projekt. Duke besuar se do të kemi mbështetjen tuaj e cilanuk na ka zhgënjyer kurrë, synojmë zgjerimin e hapsirave dhe kapaciteteve të kësaj qendre, për të mirëpritur dyfishin e studenteve vitin e ardhshëm.

Translate »