Fondacioni Firdeus është gjendur pranë të sëmurëve më shumë se kushdo, duke marrë përsipër trajtime shëndetësore në shifra marramendëse duke bërë bashkë zemrat e gjithë shqiptarëve anekënd botës. Mbi 120 operacione, mbi 120 jetë të shpëtuara mundësuar nga bashkimi e bujaria e shqiptarëve.

 

Jeta është dhurata më e çmuar dhe çdo moment I saj na sjell mundësi; mundësi për tu zhvilluar e për të shpalosur vlerat, integritetin dhe aftësitë tona në shoqërinë ku jetojmë. Por vrulli I zhurmshëm I përditshmërise jo rrallëherë shtyn në nënvlerësim një ndër pasuritë më të mëdha të njeriut, shëndetin.

Mjafton një çast e jeta mund të marrë një kthesë krejtësisht ndryshe nga ajo që kishim projektuar.

Papritur, shëndeti ynë, I konsideruar si i mirëqenë, mund të cënohet e këtu fillon një tjetër betejë; më e rëndësishmja, beteja për jetën!

Sot, qindra e mijëra të sëmurë lëngojnë në shtretërit e spitaleve duke u përballur me sprova të jashtëzakonshme, me sëmundje që po I tresin dita- ditës.

Prindër që mbulojnë në lot korridoret e gjata të spitalit në errësirën e pamundësisë për të kuruar fëmijët e tyre. Kur shikojnë vogëlushët duke u përpëlitur nga vuajtet, dhimbja merr një tjetër përmasë.

Në mëshirë të fatit e me sytë nga qielli, frika për humbjen e jetës bëhet edhe më e madhe për shkak të pamundësisë ekonomike për të përballuar shpenzimet e operacioneve apo trajtimeve shëndetësore.

Këta të sëmurë nuk kërkojnë asgjë, vetëm të shërohen e të gëzojnë shëndet. Në netët e gjata plot dhimbje, ata luten pareshtur vetëm për pak shpresë!

Dhe drita e shpresës lindi! Dora e ngrohtë e Fondacionit Firdeus preku nga afër dhimbjen e të sëmurëve duke I dhënë fund vuajteve e duke i rikthyer sërish dhuratën më të çmuar, jetën! E kush ka shpëtuar një jetë, është njësoj sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin.

Fëmijët me diagnoza të rënda që mund të kurohen vetëm jashtë vendit kanë qënë në focus të Fondacionit Firdeus për ti rikthyer shpresat për jetën. Shumë vogëlushëve u janë eleminuar dhimbjet e trupit e plagët e shpirtit, u janë rikthyer buzëqeshjet, dhe u janë realizuar ëndrrat; e kjo falë bashkimit të gjithë shqiptarëve.

Fondacioni Firdeus është gjendur pranë të sëmurëve më shumë se kushdo, duke marrë përsipër trajtime shëndetësore në shifra marramendëse duke bërë bashkë zemrat e gjithë shqiptarëve anekënd botës. Mbi 120 operacione, mbi 120 jetë të shpëtuara mundësuar nga bashkimi e bujaria e shqiptarëve.

Ndërhyrja e parë mundësuar nga Firdeus/ Diana e deformuar nga skolioza: Babai ka shitur gjakun e trupit per te na ushqyer

 

Diana nga Lezha ishte e para të cilës shqiptarët I mundësuan operacionin e shtyllës kurrizore në Kroaci. Lumturia për 13 vjeçaren ishte dicka e pamundur, e panjohur, jeta e kishte vënë përballë dramave të papërballueshme. Skolioza po i merrte frymën, po e torturonte dita- ditës dhe madje nuk e lejonte as të shkonte në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë. Kur Fondacioni udhëtoi drejt Lezhës, në klasën e Dianës shokët dhe shoqet thanë se Diana është një vajzë e qetë, e ëmbël, e dashur, e përkushtuar ndaj mësimeve, por ajo nuk mundet të qëndrojë për një kohë të gjatë në klasë vetëm 2 ose 3 orë mësimi, as nuk mund të luajë, për shkak se vuan nga skolioza.

Përpos gjithë vuajteve, Dianës i ka ndodhur një fatkeqësi që i ka ngrirë buzëqeshjet, ajo ka humbur të ëmën dhe është bërë një nënë për vëllezërit më të vegjël pasi kujdeset për ta. Sëmundja është torturuese, por ajo ka halle të tjera pasi të vegjlit janë të pangrënë. Vajza jeton në kushte shumë të vështira ekonomike dhe me rrëfimin e saj preku shumë zemra.

“Babi ka dhënë gjak për të na një pako me ushqime. Vëllezërit dalin dhe lypin, na sigurojnë ushqim. Sot kanë lypur 3000 lekë, me këto lekë do hamë darkë”, tha ajo gjatë intervistës së saj.

Çështja e Dianës është ndjekur me kujdes të veçantë nga Elvis Naçi, i cili ka udhëtuar drejt Lezhës për t’i dhënë vajzës shpresë duke i thënë se do ta ndihmojë të kurohet. Bashkë më të ishte edhe drejtoresha e shkollës dhe mësueset e saj, të cilat i dhuruan Dianës dhe vëllezërve të saj rroba dhe këpucë të reja.

“Operacioni i Dianës që kemi dëshirë të realizohet është i vështirë pasi nuk bëhet në vend apo në trojet shqiptare. Jemi duke parë në disa shtete të huaja, të cilat kanë klinika të specializuara. Kemi dëshirë që Diana të bëhet si shoqet e saj. Preokupimi yt si prind është bërë preokupimi ynë. Vajza ka dëshirë të bëhet mësuese. Duam të ketë mundësi të mësojë dhe të jetë mbështetje edhe për familjen tuaj. Jo shumë larg, ne do ta realizojmë këtë mision të madh që kemi marrë. Duam të shikojmë ditë gëzimi për të gjithë. Shpresoj që këtë mision që kemi nisur ta realizojmë”, u shpreh Naçi.

 

Menjëherë pas transmetimit, historia e saj tronditi zemrat e të gjithëve dhe ndërhyrja u mundësua në një spital në Zagreb ku çdo gjë shkoi me sukses.

Musa Baculi dergjej në krevat gjysëm i vdekur. Si ndodhi mrekullia qe i shpetoi jeten

 

Mrekullitë filluan të ndodhnin njëra pas tjetrës. Mijëra shqiptarë nga mbarë globi u sensibilizuan dhe filluan të kontribuonin për të sëmurët që kërkonin dëshpërimisht ndihmë. Historia e Musa Baculit është ndër ato drama që mbahet mend gjatë në kujtesë. Adoleshenti dergjej në shtrat në spitalin e Shkodres, mes jetes e vdekjes. Për shumë muaj Musai ka qëndruar në koma pasi ai ishte mbytur në ujë.

 

Prej ditësh në një fushatë intenstive, Elvis Naçi u bëri vazhdimisht thirrje shqiptareve të bëhen bashkë për të mbledhur paratë në ndihmë të Musait dhe më në fund shuma që kërkohej nga spitali në Itali u mblodh. Sfidat për rikuperimin e plotë ishin shumë të mëdha.

Duket sikur ëndrra e Musa Baculit për të jetuar u realizua falë zemrës së madhe të shqiptarëve që kontribuan për të duke mbledhur edhe shumën e parave që i nevojiteshin për tu rehabilituar. Nga shtrati i krevatit ku dita ditës po merrte veten, Musai ka folur dhe u nisi shqiptarëve një mesazh të shkurtër: faleminderit gjithë shqiptarëve! Natën e mirë!

 

Nderkohe Elvis Naci tha: pati një moment, kur pamë terapinë që po i bëhej në spital Musait, kur ai po ecte , ne filluam të besojmë tek mrekullia. Ai ka filluar tashmë të ketë ëndrra dhe po gjen forca që këto ëndrra që thur ti bëjë realitet.

 

Stafi i emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” ka kryer një vizitë urgjente në Itali, të ftuar nga spitali i Xhenovas. Është vërtetë një mrekulli, adoleshenti po jeton një jetë të dytë.  Pamjet që na kanë mbetur në mendje, kur ai ishte në gjendje vegjetative dhe nuk kishte asnjë reagim duken të pabesueshme nëse i krahasojmë me Musain plot jetë. Fjalët që ai i tha stafit të emisionit tingëllojnë të pabesueshme dhe një mrekulli kur falenderimi artikulohet nga ai vetë teksa shëtit buzë detit.

Çdo sekondë afër vdekjes. Jetimja nga Kosova shpëton për mrekulli

 

Për Merjemen 2 vjeçare nga Kosova, çdo sekondë që kalonte e afronte me vdekjen. Ajo vuante nga një problem në mëlçi dhe kishte nevojë urgjente për transplant. Po luftonte për jetën. Në spital prej disa kohësh, mes dhimbjesh e sprovash që asnjë fëmijë s’duhet t’i kalojë. Merjemja kishte pranë vetëm nënën, e cila përgjërohej për ndihmë.

 

Shpresat gjithmonë e më shumë ishin drejt shuarjes. Kurimi e transporti drejt Turqisë kushtonte jashtëçdo mundësie financiare dhe nëna e Merjemes ishte dorëzuar. Trajtimi shkonte mbi 100 mije euro e kjo shumë nuk mund të përballohej. E vetmja fije shprese ishte Fondacioni Firdeus.

Pas thirrjes për ndihmë pranë Firdeus, në një hark kohor të shkurtër, shqiptarët bamirës u bënë si kurdoherë bashkë, për të shpëtuar jetën e kësaj vajze jetime. Merjemi u nis në Turqi dhe nisi vizitat. Ajo e ka kryer tashmë operimin dhe gjithçka ka shkuar mirë. Sot Merjem gëzon shëndet tëplotë, trupi i saj ka shpëtuar nga vuajtja e buzëqeshja e saj na thotë të gjithëve: Faleminderit që më shpëtuat jetën!

Nëna: E kam qarë për së gjalli Deanin. Kam frikë se do të vdesë. Firdeus i shpëton jeten 9 vjecarit,

 

Trupi i tij po lëngonte në dhimbje, në vuajtje që duket se nuk kishin fund. Veshkat e tij nuk punonin, e kurimi i specializuar në Itali ishte i domosdoshëm. “Fondacioni Firdeus” e përcolli historinë e trishtë të Deanit, i cili kishte nevojë për ndërhyrje emergjente që jeta e tij të shpëtohet. Atij i duhet një transplant i veshkave. Dhurues do të jetë i ati, i cili me zërin e dridhur thote këto fjalë: “Kam frikë se nuk do të rrojë dot më”!

Nëna e Deanit tregoi disa momente që të prekin në shpirt.

“Ka kryer mbi 20 operacione djali. Më kërkoi mua, ma bëri me dorë. I vajta afër dhe shikonte nga tavani. Më tha unë po iki lart… i thash jo, jo tani. Mjekët na thanë që kërkon transplant sepse nuk i përballon dot më krizat. Kjo do të thotë se ka ardhur fundi. Të gjithë shqiptarëve, ju lutem, me zemrën e një nëne, të shpëtojmë jetën e Deanit.“-tha nëna e Deanit.

Gjithçka ishte gati dhe shumë shpejt Deani i vogël u nis drejt Italisë për t’u përballur me dy operacionet në veshkë e rrugët urinare. Lajmin e gëzueshëm e përcolli Elvis Naçi, i cili shkroi përmes një postimi në rrjetin social, se na mbetet vetëm të lutemi.

“Lajm i Madh: Faleminderit Zot! Deani do te niset shume shpejt me avion charter per ne Itali. Le te lutemi bashke per Deanin qe te sherohet plotesisht. Cdo Amin i juaji qofte lehtesim per dhimbjet dhe sherim per te. Amin!”-shkruan Elvisi.

43 mijë shqiptarë kanë komentuar në postimin e bërë në rrjetin social. Luten për Deanin e vogël, që të shërohet dhe gjithçka të shkojë mirë. Një reagim i jashtëzakonshëm. Mijëra u bënë bashkë dhe dhuruan për këtë 9 vjeçar, duke treguar edhe njëherë se shqiptarët janë të ndarë në troje, por në zemër janë një.

“Na ke të gjithëve këtu, të gjithë jemi me ty, shqiptarët janë bashkë me ty. Do të shkosh me një vend shumë të mirë, do t’i kesh të gjitha kushtet. Ne njerëzit kaq kishim mundësi, tani Zoti para e ne prapa.”,- i thotë Elvis Naçi Deanit.  Elvisi e merr hopa Deanin dhe e con drejt charterit. Nena e 9 vjecarit përlotet dhe përqafon Elvisin e Sidritin.

Muajt kaluan dhe emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” shkoi në Romë për të parë Deanin e fëmijët e tjerë të ndihmuar nga shqiptarët. Nëna e Deanit, Eva, na tregoi se çfarë ndodhi kur ajo erdhi në Itali. “Mjekët ishin shumë të mirë, është bërë një mrekulli e vërtetë në këtë spital. Pas dializës, u bë transplanti. Shyqyr Zotit shkoi për mrekulli. Tani gjërat po ecin shumë mirë, e kaloi të keqen, e jemi shumë të lumtur.”,-thote ajo.

Kanceri po I merrte jetën 12 vjeçarit nga Durrësi, sot falë bamirësisë së shqiptarëve gëzon shëndet të plotë

 

Kristi Saka edhe pse vetëm 12 vjeç kishte kryer plot 9 operime në trup për t’i shpëtuar sëmundjes së kancerit. Pavarësisht 4 operimeve në bark e 5 në kokë, sëmundja vijonte t’i rrezikonte jetën. I rrethuar nga lotët dhe një ndjenjë pasigurie për jetën e tij, Kristi kishte frikë se e nesërmja fare mirë mund të ishte dita e fundit e jetës.

“Më merr frika kur shkoj tek spitali, kam shumë dhimbje… (qan me dënesë). Kam mbetur shumë prapa me shkollën, kam shumë qejf të shkoj por nuk mundem, këmbët më dhembin shumë. Jashtë shtetit s’mundet të ikim dot, se ne nuk kemi lekë. Kam shumë mundësi të vdes. Kam shumë frikë”-thoshte Kristi vogël.

Edhe më të dhimbshme ishin vuajtjet e prindërve të Kristit. Të dy në pamundësi për të përballuar kurimin e të birit jashtë shtetit, ata ishin dorëzuar. “Para tre vitesh djali u sëmur. E sollëm në spital e Kristi doli që ishte me tumor. E futën Kristin në operim e unë i bija murit me kokë, thoja o Zot a do më dalë djali…Kam parë tmerr me Kristin, tmerr… Doktori më tha që nuk mund të japë shpresë, veçse 1% më tha, se 99% është i ikur, më tha përgatituni për çdo gjë”-tregonte për “Shqiptarët për Shqiptarët” nëna e Kristit.

Babai i Kristit ishte prekur nga kanceri disa vite më parë e sëmundja e kishte paralizuar. Në vështirësi të madhe për të folur e lëvizur, babai i Kristit përgjërohej për ndihmë. I mbushur në lot, i sëmurë e i pamundur, ai bëri një thirrje që të thyente zemrën:  “Kam frikë se vdes Kristi! Nuk kam mundësi… nuk e çoj dot jashtë. Nuk kërkoj gjë për vete, vetëm për djalin! Ju lutem, Elvis Naçi, ndihmoni Kristin“.

Një histori me të vërtetë e dhimbshme kjo e familjes Saka, e cila preku zemrat e mijërave. Në një kohë rekord, lumi i bamirësisë së shqiptarëve bëri të mundur mbulimin e kostove të kurimit, në një prej spitaleve më të mira për fëmijë në Europë. Kristi u nis drejt Italisë ndërsa jo të pakta qenë lutjet për shërimin e tij. Fatmirësisht, lutjet e atyre shqiptarëve u dëgjuan. Pas një rrugëtimi të gjatë drejt shërimit, sot Kristi është në gjendje të mirë shëndetësore.

Translate »