Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, Fondacioni Firdeus mori nisma konkrete emergjente afatshkurtra dhe afatgjata duke u bërë partner i rëndësishëm i qeverisë shqiptare në procesin e RINDËRTIMIT.

Deri tani janë dorëzuar 155 banesa individuale të ndërtuara dhe mobiluara si edhe 280 apartamente të mobiluara në një lagje të rindërtuar në Thumanë. Inagurimi i këtyre banesave u bë më 2 Maj 2022 në një ceremoni festive madhështore me pjesëmarrjen e banorë të Thumanës, kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, Kryetarit të Bashkisë Krujë, dhe shumë personaliteteve të tjera të botës së artit, kulturës, fesë, shoqërisë civile etj. Kjo ditë shënoi për banorët e Thumanës një etapë të re në jetën e tyre duke i dhënë fund kujtimeve të hidhura të së shkuarës.

Në kuadër të projektit të rindërtitmit, gjithashtu, janë në ndërtim e sipër 30 shtëpi banimi në Pezë, Tiranë dhe 16 në Lushnje.

Projekti i Thumanës

Mëngjesi i hershëm i 26 nëntorit të 2019 shënoi një nga katastrofat më të mëdha natyrore për Shqipërinë. Një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter goditi vendin.

30 sekonda sa një jetë. Tmerr, frikë, ankth, panik. Një realitet që nuk I përngjasonte realitetit. Kështu do të kujtohet 26 nëntori i 2019-ës.

Dridhjet e fuqishme të tokës lanë nën rrënoja plot 51 viktima, 23 prej të cilëve në Thumanë. Mbi 1000 persona u plagosën, qindra banesa u shkatërruan. Disa ditë pas katastrofës, Thumana u shndërrua në një gërmadhë të frikshme. Dhimbja ndihej ngado, jeta dukej se kishte ngadalësuar hapat, ishte bërë më gri. Memoria kishte ngelur në atë mëngjes të zi të përëritur ditë pas dite, natë pas nate.

Thumanë 27 nëntor 2019 – Rrugëtimi drejt Thumanës

Emisioni Shqiptarët për Shqiptarët u gjend pranë banorëve nga të cilët arriti të merrte dëshmi të forta njerëzore që tregonin tmerrnin që kishin përjetuar. Heshtjen e natës që kishte pllakosur e theu befas një sirenë therëse që të bën të përhumbesh, të shqetëson, të përvëlon shpirtin. Në kalvarin e gjatë të automjeteve me targa shqiptare e të huaja, parakalon me shpejtësi një ambulancë, dhe më pas edhe disa makina policie.

Ndihmat nga Kosova

Arrijmë të dallojmë nga larg kamionë të mëdhenj që vijnë nga Kosova me ndihma ushqimore e veshmbathje, si dhe makina të tjera që ikin po drejt Kosovës të mbushura plot me valixhe e trasta. Ndihma pafund për njerëzit, dhe njerëz pafund që po largohen të frikësuar. Flamuri kuq e zi qëndron krenar sipër automjeteve të shqiptarëve të Kosovës. Gjithë kjo panoramë në këtë natë të ftohtë nuk përngjan me realitetin, del vrullshëm përtej kornizave të normales që prej 30 sekondisht fatal që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit. Largohemi nga trafiku i pazakontë e vazhdojmë rrugëtimin në një udhë të ngushtë pa dritë, duke ndjekur tabelën që goditja sizmike nuk e rrëzoi dot, tabelën që të çon për Thumanë, një nga zonat më të prekura nga lëkundja e fuqishme që mori plot 23 jetë njerëzish. Dhimbja ndihet kudo, por nuk ka mundur të gjunjëzojë Thumanën, pasi ende dëgjohen zërat e banorëve që sinjalizojnë shpresën, jetën, vazhdimësinë pavarësisht tragjedisë.

Brenda Thumanës në 29 nëntor

Ecim më në brendësi të fshatit. Një grup i vogël banorësh qëndrojnë nën dritën e zbehtë të shtyllës në rrugë nga ku dallohet qartë në fytyrat e tyre prezenca e ndjenjës së frikës, panikut dhe tmerrit. Disa gra mbajnë ndër duar qeset me ushqime, dhe shtrëngojnë fort pas vetes vogëlushët e tyre. Jeta për ta duket se ka ngadalësuar hapat, është bërë më gri, dhe memoria ka ngelur në atë mëngjes të zi që iu përsëritet ditë pas dite, e natë pas nate. A ka më guxim të flejë Thumana në një kohë që çdo mbyllje e syve i rikthen në orën 3.54 të së martës katastrofike?

“Kemi parë ferrin për së gjalli, vdekja ishte aty të na merrte. Jemi zgjuar të tmerruar, kam marrë fëmijët bashkë me burrin dhe kemi dalë jashtë. Nuk e di sa mund të kem vrapuar në ato momente, s’po mendoja dot asgjë, përveç të shpëtoja jetën e fëmijëve. E kujtoj si nëpër mjegull, di vetëm që jeta jonë ka qenë në fije të perit. Dëshira më e madhe është të shpëtonim të gjallë. Kanë vdekur shumë vetë, kemi ngelur të traumatizuar, nuk mundemi të vëmë gjumë në sy”tregon Ermira, një 45 vjeçare nga Thumana.

NATA NË KAMP

Ecim për në qendrën e Thumanës, dhe në terrin e natës duken nga larg çadrat e bardha të kampit ku janë strehuar qindra banorë dhe përballë tij qëndrojnë ato pallate të rrënuara që para 26 nëntorit kanë qenë mundi dhe djersa e shumë viteve punë. Por sot janë shndërruar në armikun më të madh të Thumanës, pasi ishin ato pallate që iu morën jetën 23 personave të pafajshëm pas tërmetit apokaliptik. Kampi është rrethuar nga kangjella të larta ku byzylykun blu është pasaporta për të hyrë brenda tij. Forca të shumta policie qëndrojnë jashtë në një kohë që trupat e specializuara nga vende të ndryshme të botës përpiqen të japin mbështetjen maksimale për banorët.

DËSHMITË RRËQETHËSE

Një grup fëmijësh qëndrojnë te kangjellat kacavjerë me vështrimin nga pallatet e rrënuara. Më I vogli prej tyre, tund kangjellat me shaka, por fjala tërmet nuk përbën më një lojë të padjallëzuar për fëmijët, por një fatkeqësi që s’kanë për ta harruar lehtë. Ata fillojnë bërtasin: “Tërmet, tërmet prapë”; në një kohë që i vogli që sajoi lojën ul kokën si i zënë në faj. “Kemi shumë frikë teta, ja ky na trembi, s’e kupton që situata është shumë keq. Pallatet këtu u ndanë më dysh, i pamë me sytë tanë. Nuk dinim ku të shkonim”,thotë Albioni ndërkohë që qëllon lehtas në sup të voglin e grupit në formë qortimi për shakanë e hidhur.

Fëmijët dinë gjithçka, dhe i njohin pothuajse të gjithë viktimat dhe mënyrën sesi ka humbur jetën secili. “Ishte nata më e frikshme që kam jetuar ndonjëherë, jam shumë me fat që kam shpëtuar. Isha te një nga pallatet që u rrënua dhe ende kam në mendje atë zhurmën a uturimën që bënte tërmeti gjithë kohës që po binte. 30 sekonda më janë dukur si 30 orë, ose më shumë 30 vjet; nuk kishin fund. Kanë vdekur shumë veta këtu, i njihnim të gjithë, ende s’na besohet që s’janë më mes nesh. Canen e njihja, kishte ditëlindjen në datën 27 nëntor dhe kishte premtuar që do e festonte. Bënte 18 vjeç, dhe ishte shumë i lumtur, na kishte thënë muaj para që do e bënte të madhe që të mbahej mend. Por kurrë nuk e menduam që të bëhej kaq e madhe, kurrë! Nëse e madhe quhej kjo, s’do doja ta bënte kurrë kështu ditëlindjen, ngeli aty, nën rrënoja”,shprehet me lot ndër sy një 17 vjeçar.

Njëri prej vogëlushëve tregon se kushërira e tij 21 vjeçare ngeli nën rrënoja. “Ajo punonte në këpucari. Jetonte me prindërit. Por ngeli brenda, prindërit shpëtuan dhe nuk i kemi parë më, se dimë ku janë. Edhe Kristjan Preçi ka vdekur, ishte 26 vjeç, tre ditë më parë kishte dalë nga burgu. Kurse Alesion e mbështollën me batanije dhe e hodhën jashtë shtëpie. Ai shpëtoi kurse motra e tij Drita vdiq brenda. Kur u përmend mamaja kërkonte vajzën gjithë kohës”,thotë njëri prej banorëve. Ndërkohë biseda ndërpritet nga një zhurmë e fortë e shkaktuar nga prishja përfundimtare e pallateve gjysmë të rrënuara.

Hija e natës është e rëndë, por në Thumanë ngjall ende tmerr dhe panik. Pavarësisht se po qëndrojnë në çadra për banorët nuk ka gjumë, ndërkohë që nis një stuhi shiu e pamëshirshme dhe të gjithë vrapojnë për t’u futur poshtë një strehe.

Shpresa për të ardhmen

Ardhja e ditës së re sinjalizon se fatkeqësia do të zbehet gradualisht, koha do të shërojë plagët dhe çdo gjë do ti kthehet normalitetit, duke kujtuar gjithmonë se 23 viktimat do të donin një Thumanë më të mirë.

“Tërmeti na shkundi, por ne jemi të fortë, dhe do të qëndrojmë të fortë me ndihmën e gjithë shqiptarëve, dhe shteteve të tjera. Pamë këto ditë një ndihmë të madhe, një solidaritet të pashoq, dhe besoj se pavarësisht tragjedisë, treguam që ende ky vend ka shpirt human, e me dëshirë çdo gjë do të bëhet jo vetëm rindërtimi i banesave në Thumanë, por do të bëhet gjithë Shqipëria”,shprehet një i ri 30 vjeçar nga Thumana.

Maratonat e bamirësisë

Menjëherë pas tragjedisë, Fondacioni Firdeus u gjend pranë të prekurve nga tërmeti. Elvis Naci bëri bashkë shqiptarët e jo vetëm, duke organizuar për orë të tëra maratona bamirësie për të rindërtuar banesat e dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar. Emisioni “Shqiptaret për Shqiptaret” ndryshoi formatin e tij, me rreth 30 orë transmetim televiziv live në Kosovë e Shqipëri, me mbi 5 milion shikime ne Facebook, dhe YouTube Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri ftuan shqiptaret ne çdo cep te globit qe t’i bashkoheshin kësaj nisme humanitare dhe reagimi ishte i jashtëzakonshëm.

Mijëra shqiptare iu bashkuan nismës dhe kontribuan qe nga shumat me te vogla, deri ne 250 mijë euro një person i vetëm. Gjate këtyre transmetimeve maratone u mblodhën përmes platformave te ndryshme online Gofundme, Paypal dhe transaksioneve bankare rreth 9 milionë e 50 mijë euro, ku kontribuuan mbi 30 mijë vetë.

Kjo nismë përçoi mesazhe te forta sensibilizimi dhe dashurie për njeriun. Maratonës se bamirësisë iu bashkua i madh e vogël, ku pame fëmije qe dhuronin nga kursimet e tyre, te moshuar qe falen pensionin apo edhe nga ato nuk kishin te ardhura por ishin gati te dhuronin gjakun e tyre.

Madje një pacient i onkologjikut në stadin terminal me kancer dhuroi siguracionin e tij te jetës prej 38.000 eurosh për ata qe kane mundësi të jetojnë.

Kontributet erdhën nga Shqipëria, Kosova, Zvicra, Gjermani, Austria, ShBA dhe kudo ku ka shqiptare. Kjo vërtetoi edhe njëherë me se miri edhe moton emisionit se edhe pse te ndare ne troje, ne zemër jemi një.

Pas përfundimit të maratonës së bamirësisë, është punuar intensivisht, ditë e natë për 155 shtëpitë ku do të strehohen të dëmtuarit nga tërmeti. Është bërë një punë kolosale me terrenin e vështirë ku u konsolidua trualli me shtresa të posaçme. Gjithashtu u bë e mundur shtrirja e rrjeteve të infrastrukturës rrugore e nëntokësore.

Fondacioni Firdeus ka ndjekur nga afër punën e pandërprerë për lagjen e re të Thumanës. Dita- ditës ndryshimi ishte I dukshëm. Gjithcka dukej se po rilindte nga e para. Bashkimi dhe dashuria e shqiptarëve reflektohej në ccdo tullë që vihej për ringritjen e banesave.

Themelet u hodhën të forta, e po aq të forta u ngritën dhe muret e çdo shtëpie që do të strehonin 155 familje që mbetën pa çati mbi koke prej asaj fatkeqësie.

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” u rikthye sërish në Thumanën që po merr formë përditë. Këtu po rilind, këtu çdo gjë po lulëzon e po ndryshon, në çdo tullë që vihet duket bashkimi i shqiptarëve, dhe sigurisht gjëra të bukura ndodhin kur shqiptarët bëhen bashkë. Themelet janë hedhur të forta, e po aq të forte po ngrihen dhe muret e çdo shtëpie që do të strehojë 155 familje që kane mbetur pa çati mbi koke prej asaj fatkeqësie.

“Nuk ma kishte marrë mendja, që në ato ditë me tronditje shpirtërore, të zbardhojnë si shpirti i shqiptarëve shikoni cfarë është bërë në Thumanë, shikoni secili ka privatcinë e vet, ne i jemi përmajtur fjalës, janë shtëpi të dedikuara për çdo familje, kuptohet sipas kapaciteteve, ka familje të vogla që do përfitojnë një plus një, ka vila dy plus një, tre plus një, sipas ngarkesës dhe sipas frymëve që ka cdo familje, ndihem shumë krenar, ka 170 shtëpi, është lagjë e tërë”, tha Sidriti.

Më pas inxhinierët zbatues i shpjeguan Sidritit dhe Merit per proceset e punës.

“Këtu është kantieri që bëhet punimi i hekurit, materialet punohen këtu, të gjitha banesat individuale në total mendohet se do të përfundojnë ne mes të muajit nëntor. Cdo shtepi do jetë e rrethuar, do kenë privatësi. Në këto shtëpi kemi vendosur kapotën, tavanët, nga brenda kemi vendosur edhe gipsin, ka mbetur vetëm lyerja, kemi menduar që sistemi i ngrohjes do jetë me ngrohje qendrore”, tha inxhinieri.

Përurimi i 155 banesave

Cdokush i kujton pamjet tragjike të Thumanës, e gjunjëzuar nga tërmeti. Por shqiptarët nuk e lanë në baltë . Ata iu përgjigjën tërmetit shkatërrimtar me “tërmetin” e bamirësisë dhe humanizmit. E ashtu ndodhi. Sot Thumana është krejtësisht e transformuar. Gjithcka u finalizua me sukses për të lumturuar banorët e Thumanës. Ditën e bekuar të Fitër Bajramit 155 ccelësat e shtëpive individuale iu dorëzuan banorëve duke cuar në vend amanetin e shqiptarëve.  Fondacioni Firdeus ogranizoi një ceremoni madhështore për të festuar kështu rijetësimin e Thumanës. Nëna, baballarë, fëmijë e të moshuar  ndihen më të lumtur se kurrë.

Pjesë nga fjalimi i ceremonisë së përurimit të banesave në Thumanë Z.Elvis Naçi

“Vëllezër dhe motra, faleminderit që jeni në këtë mbrëmje me ne, për të gëzuar dhe për të parë një vepër të mirë që ka bërë shqiptari për shqiptarin. Ata të cilët besojnë në Zot, pasi adhurojnë Zotin e Gjithësisë, nuk kanë asnjë rol tjetër, s’kanë asnjë qëllim tjetër, nuk duhet të bëjnë asgjë tjetër, por sipas mundësive, të jetë afër atij që është në nëvojë, ta shikojë të varfrin dhe jetimin. Ky është mesazh it ë gjitha feve abrahimike. Kur ra tërmeti i tmerrshëm shumica e shqiptarëve ishin në gjumë duke fjetur dhe tërmeti i tmerrshëm i zgjoi ëndrrat e gjithësecilit, por në fakt kur u zgjuam, u hapën disa ëndrra të tjera për t’ju gjendur pranë atyre që u dëmtuan. Këto ëndrra të reja na sollën sot në këtë realitet të bukur: Thumana, pa frikë e them, është bërë një Zvicër e vogël. Unë besoj fuqishëm që një Autor i Madh e ka krijuar Universin dhe 7 miliarde njerëz dhe ngjarjet tona, kurrësesi nuk janë të rastësishme. “ Matematika është alfabeti me të cilin Zoti e shkroi Universin”, thotë Galilei. Një gjigand tjetër, Profeti Ibrahim thotë: “ Ai i Cili më krijoi në formën më të bukur, Ai më udhëzon mua në jetë.” Sot që gjendemi në Thumanë nuk është e rastësishme, të gjitha ngjarjet janë të lidhura, janë një matematikë, një caktim një udhëzim që mer gjithësecili sipas qëllimeve që ka. Unë jam sot në Thumanë sepse në atë ditë kur ra tërmeti të gjithë jemi trembur të gjithë jemi ngritur dhe kemi dalë në atë mëngjes të hershëm. Mora vesh që në Durrës kishte një viktimë dhe instiktivisht, pa menduar gjatë i dërgoj një mesazh kryeministrit ku i shpreh keqardhjen time për viktimën dhe i ofroj ndihmën tonë nëse do të ishte e nevojshmë. Kryeministri më tha se fatkeqësisht nuk është vetëm një viktimë, por janë me dhjetëra ata që kanë ndërruar jetë, prandaj kanë nevojë për çdo shqiptar që të japin kontribut, gjithashtu edhe për fondacionin Firdeus. Të mërkurëm në mëngjës, kur erdhëm këtu (në Thumanë), lotët s’mbaheshin, sepse nën rrënoja kishte akoma viktima. Ai tmerr që ndodhi na dha më shumë fuqi për të nisur një mision të madh, misionin “Shqiptarët për shqiptarët”. Nuk e kam besuar, kur kam parë që shqiptarët kishin dhuruar për Thumanën në veçanti 9 milion e 50 mijë euro. Kjo tregoi se pas tërmetit të fatkeqësisë, erdhi një tjetër tërmet i fuqishëm, tërmeti i bamirëisë së shqiptarëve kudo në botë, nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, e Preshevës e kudo në botë. Ne historia na ndau në troje, por Zemrat tona kanë qenë gjithmonë Një. Vëllezër dhe motra të Thumanës:

I GËZOFSHI SHTËPITË TUAJA!

Thumana pas transformimit – Dëshmitë e banorëve

Dy prej banorëve të Thumanës treguan për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se hyrja në banesën e re, e mobiluar tërësisht, ishte një ndër momentet më të bukura për ta.

Lirie Vata, një grua në moshë, tha se për të ishte mrekullia vetë kur hyri në shtëpinë e ngritur falë bamirësisë së shqiptarëve.

“Këtu është bërë mrekullia e botës, më mirë nuk ka. Unë për veten time jam shumë e kënaqur. Na kaluat të keqen e shumë jemi gëzuar kur kemi hyrë. Këtu janë shtëpia perfekte. Ku ka fjalë më tepër për shtëpinë. Shqiptarët që kanë kontribuar për ne, u them këtë fjalë: O Zot ju ruajtë Allahu, kudo ku jeni. Jua shpërbleftë Zoti me të mira, mos pafshi kurrë të keqe në jetë e në familjet e juaja”-tha nënë Liria, e cila jeton në një banesë 3+1.

Met Xhafa po ashtu, na tregoi i buzëqeshur se e vetmja gjë që duhej të bënte, ishte të hynte brenda, pasi shtëpia ishte tërësisht e mobiluar.

“Këtu është bërë një punë shumë e mirë. Shtëpia është e gatshme, vetëm të hysh brenda. Njerëzit kanë hyrë dhe janë normalizuar, jetojnë për mrekulli në shtëpi të re. Shtëpitë kanë hapësira, ajrim, çdo gjë e kanë… tani duket sikur Thumana është bërë një qytet turistik.”-tregoi Meti, i cili jeton në një banesë 2+1.

Elvis Naçi tregoi se shqiptarët u bënë bashkë përmes modelit të bamirësisë, por ishte e nevojshme që për të sjellë në jetë një Thumanë më të bukur, do të duhej durim.

“Kuptohet shumë shpejt, me Zotin para dhe me zemrën e shqiptarëve, fondi për Thumanën u bë shumë i madh. Ne nuk u nxituam, donim të kontribuonim për Thumanën, kuptohet që fondi mbetur ka shkuar në vende tjera, por, ne nuk donim të nxitoheshim. Se ne mund të shkonim t’ja rindërtonim shtëpitë njerëzve atje ku kishte dëmtime apo aty ku donin ato, por duke qenë se po bëhej një infrastrukturë e madhe, një projekt modern, ne donim që të përveç shtëpiave të rindërtuar, të bëhej diçka e mirë për të gjithë komunitetin. Ne pritëm që qeveria të bënte infrastrukturën. Qëllimi ynë ishte më i madh, që njerëzit të jetonin më mirë se më përpara. Që shtëpiat individuale të bëheshin në një qytezë, afër mes tyre, që njerëzit të ishin pranë. Edhe sot po ta shikosh sesi është bërë  Thumana, e kupton pse ne duruam për të nxjerrë atë që është më e mira.”-rrëfeu Elvisi.

Translate »