“Babai na ka vdekur” 4 fëmijë jetimë dhe një nënë e pikëlluar, historia e dhimbshme e familjes nga Hasi

 “Quhem Sonela Kastrati… jetoj me mamin, motrën e vëllezërit. Babai më ka vdekur… (qan). Ai ishte babi më i mirë…”

Këto janë fjalët e një vajze, veçse 12 vjeçe. Zëri i dridhet Sonelës teksa në krah e motra mbytet në lotë. Këto vajza janë tepër të vogla, por dhimbja që kanë provuar ka qenë e jashtëzakonshme. I ati, i ndërroi jetë në mënyrë tragjike.

Pas mbetën 4 fëmijë jetimë dhe nëna e tyre, Hamideja.

“Im shoq ka qenë në mal, për të bërë dru. I kanë rënë lisat, e kanë shtypur. Me të ishin djali i kunatit e im bir. U nisa rrugës për të shkuar, por u ktheva… më thanë djemtë ktheu në shtëpi se po vijmë ne tani… kur erdhën, (qan). Asnjë gjë nuk mbaj mend… kish pas mbaru çdo gjë në mal. Në shtëpi ka ardhur i ftohtë.”-rrëfen mes lotëve Hamideja.

Familja Kastrati jeton në fshatin Pus i Thatë në Has… nuk kanë as ujë, as drita, as përkrahje. Hamideja rrëfeu për “Shqiptarët për Shqiptarët” se nuk gjen dot punë në këtë zonë. Ajo mban familjen me veçse 70 mijë lekë të vjetra përkrahje sociale, ndërsa edhe gjërat më bazike, kjo nënë është e detyruar t’i kërkojë e gjejë e vetme.

“Ne jetojmë në një fshat të largët, në Pus të thatë…pa ujë, pa drita, pa asgjë. 12 banorë ka këtu, të tjerët kanë ikur të gjithë. Nuk ka asgjë… S’mundem të bëj dot asgjë. Se nuk kam asnjë mundësi. Çohem e sillem vërdallë… i lutem Zotit të bjerë shi e të mbush një kovë ujë. Bunarët janë shumë larg, e të pakta janë mundësitë me marr një pikë ujë.

Këtu bie 1 metër dëborë. Është shumë ftohtë dhe tek dhomat nuk rrihet. 70 mijë lekë të vjetra kemi përkrahje, asgjë tjetër. Punë këtu nuk ka, se po të kishte, dilje në punë e merrje rrogë me mbajt fëmijët… por me 70 mijë lekë çka me bërë… është shumë e vështirë.”-tregon nëna e 4 fëmijëve.

Veç vështirësive të përditshme, fëmijët shpesh herë nuk kanë mundësi të shkojnë as në shkollë, pasi ajo ndodhet me orë larg. E sa herë që nisen për në shkollë, vajzat me dy vëllezërit ndalojnë tek varri i të atit…

“Shumë na mungon… ishte gjithçka për ne. Çdo ditë kur shkojnë për në shkollë, ndalojnë tek varri… më thonë mos fol nënë, e dimë si ka vdekur… qajnë. Gjithçka ishte ai për ne, e vdekja e tij na shkatërroi. Me 4 fëmijë, nuk dilet në rrugë të madhe.”-thotë nëna e fëmijëve.

“Këtu jemi shumë shumë keq. Nuk ka asgjë. Mezi shkojmë në shkollë, një ditë po e një ditë jo. Larg është, një a dy orë. Në këmbë shkojmë. Tutena (frikësohemi) se mos na del ndonjë kafshë.”-tregon Sonela.

“Këtu nuk ke çfarë me lyp… shita lopët kur vdiq burri, sa për të drejtuar kuzhinën, vendin ku rrimë e jetojmë. Mërzitem shumë kur fëmijët më thonë mam pse nuk na ble bukë… boll më dhemb shpirti, sa herë bie në gjumë, Zotit i lutem. I them o Zot më rrit fëmijët.”-përfundon rrëfimin e saj nëna e 4 jetimëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »