Xheviti me fëmijët buzëqeshin, shqiptarët e bënë me shtëpi të re familjen Lluka!

Elvisi e Sidriti shkuan në spitalin ushtarak për ta takuar Xhavitin. Si në 7 muajt e fundit, ky burrë invalid e gdhin ditën e natën në dhomën ku është shtruar Valbona. Ai i tregoi Elvisit e Sidritit se maksimumi në ditë bën një ose dy orë gjumë… në krah të të shoqes në koma.

Xhaviti: Një orë në karrige flej unë.

Elvisi: Si ia del me një orë gjumë?

Xhaviti: Ia dal… djali nuk vjen, sepse djalin nuk e lë dot aty, nuk mundem. Ai vjen vetëm për të më sjellë ndërresa.

Elvisi: Po si ia bën Xhavit, sepse dëmtohesh ashtu

Xhaviti: Me thënë të drejtën dëmtohem, por…deri në dy orë maksimumi flej, kurrë më shumë

Sidriti: Kush e ka provuar këtë hall, e din. Ne 5 ditë e përballëm, sepse aq qëndroi ime bijë në koma. Nuk mundeshe të rrije larg spitalit

Elvisi: Ne do të ikim bashkë tani pak, këtu afër jemi.

Në këtë moment Xhaviti përlotet. Rrugës për t’i bërë surprizën e madhe përballë Xhavitit vrapon Alteo, i shkon t’i hidhet në qafë të atit. Ka disa ditë pa e parë. Të gjithë tashmë së bashku, familja Llukaj, Elvisi, Sidriti, Fatma e Meri nisen drejt mrekullisë së shqiptarëve

Elvisi i jep çelësin e shtëpisë së re Xhavitit dhe familja hyn brenda në këtë shtëpi, dhuratë nga zemra e mijëra shqiptarëve që derdhën lot kur dëgjuan dhimbjet e këtij babai, e këtyre fëmijëve. Shtëpia ka tre dhoma që fëmijët të jenë të qetë dhe ndodhet pranë spitalit, që Xheviti të mund ta ketë të lehtë të shkojë e vijë tek Valbona.

Elvisi: Xhavit, situata juaj është e veçantë. Ne e kemi të vështirë ta përjetojmë si duhet një shtëpi të re. Por ky është hapi i parë i amanetit tonë. Ne jemi afër jush

Xheviti: Allahu ju ndihmoftë.

Elvisi: Të thash edhe atë natë, që tani fillon një faqe e re për familjen tuaj. Do të na keni afër për çdo gjë. Kemi parë disa shtëpi dhe gjetëm këtë, që është afër spitalit. Hapi i dytë, do të jetë kujdesi. Edhe për ty kemi merak që të bësh disa analiza. Do të jemi afër dhe bashkëshortes, me sa kemi mundësi.

Xheviti: Zoti ju shpërbleftë me të mira. Jam pa fjalë.

Xheviti puth dhe përqafon Alteon e vogël. Një buzëqeshje lehtësimi ka përfshirë fytyrën e tij, teksa i thotë të birit:
“Kjo është shtëpia jote, nuk është shtëpia kurrkujt, po e jotja… të ruajtë Zoti ty”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »